Aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë

 

Sektori privat bosht i zhvillimit ekonomik

27.02.2013

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja Mimoza Kusari – Lila mori pjesë në përfundimin e projektit “Mbështetja nga BE për Zhvillimin e Bizneseve në Kosovë përmes Programit për Rritjen e Ndërmarrjeve (EGP) dhe Shërbimeve këshilluese për Biznesin (BAS)”, ku foli për rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

Ministrja Kusari – Lila para një numri të madh të bizneseve pjesëmarrëse tha “Ballafaqohemi me sfida të shumta, por këto sfida adresohen vetëm kur jemi të hapur dhe i diskutojmë qartë, kur e dimë se ne mund të përparojmë si shoqëri vetëm kur kemi sektor privat, të cilët e bartin barrën e zhvillimit, barrën e punësimit mirëpo edhe kanë përfitime të cilat janë atraktive jo vetëm për bizneset kosovare por edhe për ato ndërkombëtare”.

Ndërsa, Shefi i Operacioneve të BE-së, Christof Stock tha se përmes këtij projekti është ngritur konkurrenca në treg. Ai shtoi se ka vizituar disa biznese që kanë qenë përfitues të këtij projekti dhe se implementimi i tyre ka qenë mbresëlënës.

Ky program 40 mujor kishte për qëllim promovimin e ndërmarrjeve, zhvillimin dhe avancimin si dhe punësimin më të madh përmes ndihmesës në përzgjedhjen e bizneseve të vogla dhe të mesme ku përfshihet edhe sektori i bujqësisë dhe zonat e pazhvilluara ekonomikisht. Brenda këtij programi janë implementuar 29 projekte të EGP, 79 projekte të BAS si dhe 10 aktivitete për zhvillimin e tregut dhe sektorëve të ndryshëm.

Në fund të ceremonisë përmbyllëse është prezantuar programi “Mbështetja e bizneseve të vogla”, prezantimi i përvojave nga përfituesit e BAS-it dhe EPG-së.

Në përmbyllje të projektit, sot, u prezantua edhe mundësia më e fuqishme e mbështetjes së sektorit privat nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.